#Lajme

Mitrovicë e Veriut: Policia sekuestron armë, municion dhe pajisje të tjera në një banesë të uzurpuar

Policia e Kosovës në Mitrovicën e Veriut ka gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe pajisje të ndryshme gjatë një asistimi për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Vlerësim të Pronës (AKKVP), më 5 gusht 2025.

Kontrolli u zhvillua në një banesë të uzurpuar dhe të mbyllur në rrugën “Lola Ribar”, ku njësitë policore zbuluan 56 fishekë të kalibrave të ndryshëm, municion për pushkë ajrore, optik për armë të gjatë, fotrollë për pistoletë, dy gaz-maska, video-kamera, dokumente, si dhe pajisje të tjera.

Hetimet çuan në një banesë tjetër, ku u gjetën dhe sekuestruan një pistoletë, një tytë arme e shkurtër, një fishek dhe një armë e modifikuar në formë stilolapsi.

Lidhur me rastin është arrestuar një grua 56-vjeçare me inicialet M.A., e cila pas intervistimit është liruar me vendim të prokurorit, ndërsa rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Policia e Kosovës ka apeluar tek qytetarët që të raportojnë çdo informacion për armë ilegale në numrin 192, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për garantimin e sigurisë publike.