#Lajme

Mitrovicë e Jugut: Nis numërimi i votave për asamblenë komunale në qendrën “OMNI Sport”

Në qendrën e numërimit “OMNI Sport” në Mitrovicën e Jugut ka filluar procesi i numërimit të votave për kandidatët e asamblesë komunale.

Kryetari i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ), Bajram Hajdari, ka bërë të ditur se të gjitha materialet zgjedhore kanë arritur me kohë dhe se procesi po zhvillohet pa pengesa.

“Shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë dhe mbarë. Tashmë ka nisur ndërrimi i dytë, ndërsa nga nesër do të vazhdojmë me dy ndërrime. Materialet nga vendvotimet janë pranuar në orët e hershme të mëngjesit dhe nga aspekti teknik gjithçka është në rregull,” tha Hajdari për KosovaPress, duke shtuar se në proces po marrin pjesë dhjetë tavolina numërimi me nga katër numërues, ndërsa secili subjekt politik ka të drejtë nga një vëzhgues.

Mitrovica e Jugut pritet të shkojë në balotazh për kryetar më 9 nëntor, mes kandidatëve të PDK-së dhe Vetëvendosjes.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së për asamblenë komunale, prin Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 40.43 për qind të votave, pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) me 22.67 për qind. Në vendin e tretë renditet Partia Guxo me 12.89 për qind, ndërsa LDK ka 11.94 për qind, AKR 3.63 për qind, Forca e Diasporës 1.93 për qind, Nisma 1.77 për qind, AAK 1.58 për qind, Forca e Re Kombëtare 1.21 për qind, Alternativa 1.06 për qind dhe KDPT 0.88 për qind.