Mitrovicë e Jugut – Arrestohet personi i dyshuar për armëmbajtje pa leje, tentoi t’i shmanget policisë
Një person është arrestuar gjatë natës së 9 gushtit 2025 në Mitrovicën e Jugut, pasi dyshohet për armëmbajtje pa leje.
Sipas Policisë, rreth orës 03:00, patrulla e Njësisë së Trafikut Rajonal, gjatë një pikë-kontrolli në rrugën “Ulqini”, tentoi të ndalonte një veturë me targa vendore. Shoferi nuk iu bind urdhrit, duke vazhduar lëvizjen, ndërsa njësitë policore u vunë në ndjekje të tij.
Gjatë arratisjes, i dyshuari braktisi automjetin dhe tentoi të fshehë një armë duke e hedhur larg trupit. Falë reagimit të shpejtë të policisë, ai u arrestua dhe iu sekuestrua një pistoletë me shtatë fishekë.
Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, i dyshuari u lirua në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj tij u iniciua rast penal për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.










