Milot Rashica pritet të largohet nga Besiktashi gjatë janarit
Milot Rashica po përjeton një sezon të vështirë te Besiktashi, ku paraqitjet nën pritshmëri dhe problemet me lëndime kanë ndikuar që klubi turk të shqyrtojë largimin e tij në afatin kalimtar të janarit, raportojnë mediat turke.
Anësori kosovar, i cili po e zhvillon sezonin e tij të tretë me ekipin nga Stambolli dhe ka kontratë deri më 30 qershor 2027, pritet të jetë në listën e largimeve të mundshme të klubit.
Interesim për 29-vjeçarin nuk mungon. Gjatë verës, Borussia Mönchengladbach ishte një nga skuadrat që shfaqi interesim, ndërsa në garë janë përmendur edhe dy klube të njohura portugeze, Benfica dhe Porto.
E ardhmja e Rashicës pritet të qartësohet në muajt e ardhshëm, teksa Besiktashi po vlerëson opsionet për transferimin e tij.











