#Lajme

Millosh Pleskoviq dënohet me 15 vjet burg për vrasjen e tre civilëve gjatë luftës në Prizren

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Millosh Pleskoviqin, i njohur me nofkën “Miki”, duke e dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

Pleskoviq u dënua në bashkëkryerje për vrasjen e tre civilëve shqiptarë – dy pjesëtarëve të familjes Daçaj dhe Fatmir Bojaxhiut – në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla” në Prizren, më 1 shtator 1998.

Sipas aktakuzës, viktimat kishin shkuar në malin pranë lagjes për të mbledhur dru për ngrohje, kur ranë në pritë nga një grup i armatosur prej 7-8 personash serbë, të veshur me uniforma policore e ushtarake. Në mesin e tyre u identifikua edhe i pandehuri Pleskoviq, i cili hapi zjarr me armë automatike ndaj grupit.

Nga të shtënat mbetën të vrarë B.D., R.D. dhe F.B., ndërsa të mbijetuarit Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati arritën të ikin. Trupat e pajetë të viktimave, të gjymtuar rëndë, u lejuan të merren nga familjarët vetëm pas një jave nga ngjarja.

Gjykata e vlerësoi se veprimet e Pleskoviqit përbëjnë krim lufte të rëndë kundër civilëve dhe e dënoi atë me 15 vjet burgim efektiv.