Miliarderi amerikan dhuron 100 milionë dollarë për sportistët e SHBA në Lojërat Olimpike Dimërore

Itali – Miliarderi amerikan Ross Stevens është shndërruar në një nga figurat më të përfolura të Lojërave Olimpike Dimërore që po zhvillohen në Itali, jo përmes pjesëmarrjes në gara, por përmes një gjesti të jashtëzakonshëm financiar në mbështetje të sportistëve amerikanë.
Stevens, pronar i fondit investues “Stone Ridge Holdings Group”, ka vendosur të ndajë një fond prej rreth 100 milionë dollarësh, me qëllim që të sigurojë stabilitet financiar për 232 sportistët e SHBA-së që marrin pjesë në këto Lojëra Olimpike.
Sipas mediave, secili atlet do të përfitojë një mbështetje financiare në vlerë totale prej 200 mijë dollarësh, pavarësisht rezultatit që arrin në garë. Kjo mbështetje përfshin një garanci shëndetësore dhe financiare afatgjatë, duke trajtuar të gjithë sportistët në mënyrë të barabartë, përfshirë edhe ata që përfundojnë garat në pozicionet e fundit.
Plani parashikon që 100 mijë dollarë t’u kalohen sportistëve kur ata të mbushin 45 vjeç ose pas 20 vitesh nga pjesëmarrja e tyre e parë olimpike, ndërsa 100 mijë dollarë të tjerë do t’u kalohen familjeve të tyre pas ndarjes nga jeta të atletit.
“Dua të shmang që pasiguria financiare të pengojë atletët tanë elitarë nga arritja e niveleve të reja të ekselencës”, ka deklaruar Stevens.
Ky gjest konsiderohet si një ndër iniciativat më të mëdha financiare individuale në historinë e Lojërave Olimpike Dimërore dhe synon të rrisë konkurrueshmërinë e SHBA-së, duke u ofruar sportistëve siguri dhe përqendrim maksimal në performancë.








