#Lajme

Memli Krasniqi mohon mundësinë që Limaj të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit: Kurti nuk e propozon kurrë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka përjashtuar mundësinë që Fatmir Limaj të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se nuk beson që ai do të propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Nuk besoj kurrë që do të jetë kandidat. A e keni parë najkund që është propozu?”, u shpreh Krasniqi para mediave, duke shtuar se këtë qëndrim ia ka komunikuar edhe vetë Limajt personalisht.

Sipas tij, Limaj nuk është as i emëruar e as i propozuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe për këtë arsye nuk sheh nevojë për diskutime të mëtejshme rreth kësaj teme.

Krasniqi komentoi edhe deklaratën e një deputeti të PDK-së, i cili kishte thënë se votimi i Limajt do të ishte pozitiv. Por ai theksoi se PDK vepron vetëm sipas vendimeve kolektive dhe jo individuale.

“PDK nuk voton në mënyrë të shthurur apo të paorganizuar. Qëndrimet tona janë të unifikuara dhe vendosen brenda partisë,” përfundoi Krasniqi.