#Lajme

Më 9 shkurt nis faza përmbyllëse e gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Më 9 shkurt do të vijojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë, me seanca të dedikuara për dëgjimin e deklaratave përmbyllëse. Sipas kalendarit të gjykatës, do të mbahen gjithsej shtatë seanca për këtë fazë, që do të pasohen nga seancat e “administrimit të drejtësisë”, dhe pritet të zgjasin deri në javën e parë të marsit.

Përditësimi vjen pas refuzimit të kërkesës për lirim me kusht të Jakup Krasniqit, njësoj si në rastin e Kadri Veselit. Më 30 dhjetor 2025, Paneli i Gjykatës Supreme, i përbërë nga gjykatësit Ekaterina Trendafilova, Kristinë van den Vajngart dhe Daniel Fransen, hodhi poshtë kërkesën e Krasniqit për mbrojtje të ligjshmërisë, e paraqitur në nëntor 2025, lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit të 13 gushtit 2025 që rrëzoi kërkesën e tij për lirim të përkohshëm.