#Lajme

Mbyllet për publikun seanca në rastin “Banjskë” për shkak të dëshmisë së ndjeshme

Gjykata Themelore në Prishtinë ka mbyllur për publikun seancën gjyqësore të së enjtes ndaj tre të akuzuarve për sulmin në Banjskë më 24 shtator 2023: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq.

Prokurori special Naim Abazi kërkoi mbylljen e seancës duke theksuar se dëshmia e dëshmitarit Velko Iliq përfshin informacione të ndjeshme për sigurinë kombëtare dhe strukturat ilegale në veri të vendit. Gjykata e miratoi kërkesën bazuar në nenin 298 të Kodit të Procedurës Penale.

Dëshmitari Iliq paraqiti edhe probleme shëndetësore, duke theksuar se nuk mund të qëndronte gjatë në sallë.

Më herët, disa seanca janë mbyllur për publikun për të mbrojtur dëshmitarët anonimë, ndërsa gjykata ka refuzuar propozimin që procesi ndaj 42 të akuzuarve të tjerë të vazhdojë në mungesë. Për ta është lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar.

Në këtë rast janë të akuzuar 44 persona fizikë dhe një juridik, të cilët sipas Prokurorisë Speciale kanë synuar, përmes dhunës me armë të rëndë, shkëputjen e veriut të Kosovës dhe bashkimin me Serbinë. Përgjegjësinë për sulmin e kishte marrë Milan Radoiçiq.