#Lajme

Mbyllet objekti i strukturave ilegale në Mitrovicën e Veriut

Inspektorati komunal në Mitrovicën e Veriut, me asistimin e Policisë së Kosovës, ka mbyllur një objekt në afërsi të tre rrokaqiejve, ku dyshohet se vepronin institucione ilegale të Serbisë.

Shefi i kabinetit të kryetarit të komunës, Visar Syla, ka konfirmuar se në këtë objekt kanë ushtruar veprimtari Fondi Republikan për Sigurimin Shëndetësor dhe Fondi Republikan për Sigurimin Pensional Invalidor i Serbisë (PIO).

Sipas tij, gjatë kontrollit është konstatuar se personat e pranishëm nuk posedonin dokumentacion të vlefshëm, prandaj puna është pezulluar përkohësisht, ndërsa procedurat e mëtejshme do të vijojnë në përputhje me ligjin.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se policia ka asistuar inspektoratin në mbylljen e dy lokacioneve dhe se nuk është hasur në ndonjë problem gjatë aksionit.