#Lajme

Mbrojtja e Thaçit kërkon anulimin e aktakuzës për pengim të drejtësisë

Ekipi mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi ka dorëzuar më 18 gusht 2025 një kërkesë në Gjykatën Speciale, duke kërkuar anulimin e aktakuzës në të ashtuquajturin Rast 12, që lidhet me akuzën për pengim të drejtësisë.

Në këtë kërkesë, mbrojtja pretendon se gjyqtari i procedurës paraprake nuk ka qenë kompetent për të lëshuar aktakuzën, pasi, sipas tyre, Prokuroria Speciale ka nisur procedurat në mënyrë të njëanshme, duke anashkaluar Panelin e Gjyqtarëve, i cili ka kompetencë ekskluzive mbi këtë çështje.

Sipas mbrojtjes, trajtimi i të njëjtave fakte në dy procese të ndara rrezikon vendime kontradiktore dhe cenon prezumimin e pafajësisë së Thaçit.

Më herët, më 19 qershor 2025, gjykatësi kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për moskompetencë, por më 23 korrik ishin miratuar tri nga katër çështjet e identifikuara për shqyrtim në apel.

Avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, ka kërkuar që aktakuza e Rastit 12 të hiqet dhe të konstatohet se gjyqtari paraprak nuk ka pasur kompetencë për ta nxjerrë atë.