Mbahet në Vushtrri tryeza shkencore për 35-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut
Në prag të 35-vjetorit të shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, Komuna e Vushtrrisë ka organizuar tryezën shkencore me temën “35 Vjet nga Kushtetuta e Kaçanikut”.

Ngjarja u mbajt nën patronazhin e kryetarit të Komunës, Ferit Idrizi, dhe mblodhi studiues, akademikë si dhe disa nga delegatët që më 7 shtator 1990 miratuan Kushtetutën.
Duke hapur tryezën, kryetari Idrizi tha se ishte një nder i veçantë që Vushtrria, si qyteti më i vjetër në Kosovë, të ishte nikoqire e kësaj ngjarjeje me rëndësi historike për shtetndërtimin e vendit.

Në shenjë mirënjohjeje për rolin e delegatëve në këtë proces historik, Idrizi ndau çmime falënderimi për disa prej tyre.
Në kuadër të tryezës u prezantuan gjithsej tetë kumtesa shkencore, të cilat trajtuan në mënyrë të veçantë rëndësinë dhe ndikimin e Kushtetutës së Kaçanikut.














