Mastantuono shfrytëzon janarin për t’u afirmuar dhe lë gjurmë te Real Madridi
Franco Mastantuono e ka kthyer një periudhë të vështirë në një mundësi të artë. Pas rikuperimit nga një pubalgji që e mbajti jashtë fushave për rreth një muaj, talenti argjentinas është rikthyer në formë dhe po kalon javët më të mira me fanellën e Real Madridit, pikërisht në një moment delikat për skuadrën.
Në një ambient të trazuar dhe me presion të madh ndaj ekipit, Mastantuono ka përfituar nga mungesat në krahun e tij për të treguar personalitet dhe cilësi. Goli ndaj Albacetes shënoi fillimin e ringritjes individuale, ndërsa paraqitja kundër Levantes, ku hyri nga stoli në një atmosferë të tensionuar, e konfirmoi si një element të rëndësishëm, duke kontribuar në fitoren 2-0 së bashku me Arda Güler.
Paraqitjet e mira u kurorëzuan në Ligën e Kampionëve, ku 18-vjeçari realizoi golin e parë në Champions. Pas ndeshjes, Mastantuono u shfaq i pjekur në deklarata, duke theksuar se nuk është as “Messi i ri” dhe as një dështim, si dhe duke mbrojtur Vinícius Jr. nga kritikat e tifozëve.
Muaji janar po rezulton vendimtar për zhvillimin e tij, me paraqitje gjithnjë e më bindëse. Ndeshja ndaj Monacos ishte testi i radhës, ku ai ishte aktiv dhe vendimtar nga krahu i djathtë. Goli i shënuar me këmbën e majtë në minutën e 55-të e bëri atë argjentinasin e dytë më të ri që shënon në Champions, në moshën 18 vjeç e 159 ditë, pas Lionel Messit.
Përtej statistikave, Mastantuono ka treguar përkushtim, inteligjencë loje dhe karakter, duke justifikuar investimin mbi 60 milionë euro të Real Madridit. I ardhur nga River Plate në moshë shumë të re, ai po kalon me sukses fazën e adaptimit në futbollin evropian, i mbështetur edhe nga bashkëlojtarë si Jude Bellingham.
Klubi madrilen ka refuzuar çdo interesim gjatë merkatos dimërore, i bindur se Mastantuono është një aset i çmuar për të ardhmen. Talenti argjentinas po dëshmon se janari, në vend të një periudhe krize, mund të shndërrohet në trampolin drejt afirmimit.










