#Lajme

Mashtronte qytetarët me premtimin për transport mallrash – arrestohet 38-vjeçari nga Fushë Kosova

Një 38-vjeçar nga Fushë Kosova është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për mashtrim financiar, pasi dyshohet se ka përfituar para nga disa qytetarë me premtimin e rremë për transport mallrash.

Sipas raportimeve të “Sinjali”, i dyshuari B. M. kishte nënshkruar marrëveshje me tri palë të ndryshme për kryerjen e transportit të mjeteve, duke marrë pagesa si në para të gatshme ashtu edhe përmes xhirollogarive bankare.

Megjithatë, ai nuk e kishte realizuar asnjëherë shërbimin e premtuar, duke shkaktuar dëm material ndaj palëve të kontraktuara.

Më 13 tetor 2025, rreth orës 15:30, i dyshuari është paraqitur në polici dhe është intervistuar lidhur me rastet, të cilat janë bashkuar në një procedurë të vetme penale për veprën “Mashtrim”.

Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, është vendosur që B. M. të dërgohet në Qendrën e Mbajtjes për 48 orë. Ndërkohë, hetimet për rastin po vazhdojnë në procedurë të rregullt.