Marca për Vedat Muriqin: Sulmuesi kosovar që gjithmonë ndëshkon Real Madridin
Vedat Muriqi ka vazhduar traditën e tij të shënimit ndaj Real Madridit, duke realizuar gol për të katërtin vit radhazi – 2022, 2023, 2024 dhe 2025.
Ky kontinuitet e ka kthyer sulmuesin kosovar në një makth për mbrojtjen madrilene, duke u vlerësuar lart edhe nga mediat spanjolle. Gazeta prestigjioze Marca i ka kushtuar një artikull të veçantë, duke e cilësuar atë si një sulmues të fuqishëm dhe të palodhur që gjithmonë gjen mënyrën për të lënë gjurmë kundër kampionëve evropianë.
“Sa herë që Muriqi përballet me Real Madridin, është një betejë e fortë me qendërmbrojtësit. Loja e tij ajrore është një sfidë e përhershme për çdo kundërshtar”, shkruan Marca, duke përmendur golin e fundit të tij që hapi serinë e rezultateve kundër ekipit të Xabi Alonsos këtë sezon.
Gazeta spanjolle kujton gjithashtu edhe rastet e kaluara kur Muriqi ka ndëshkuar madrilenët, madje duke e cilësuar si një “sulmues monument i punës së palodhur” që e vë gjithmonë në provë mbrojtjen e kundërshtarëve.
Falë paraqitjeve të tilla, emri i Muriqit vazhdon të spikasë në La Liga dhe të fitojë respektin e futbollit spanjoll.












