#Lajme

Mandatari ka afat deri më 19 nëntor për formimin e qeverisë, zgjedhjet mund të mbahen në fund të dhjetorit

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka sqaruar se mandatari i ri për kryeministër ka kohë deri më 19 nëntor për ta paraqitur në Kuvend kabinetin dhe programin qeverisës, si dhe për të siguruar të paktën 61 vota për miratimin e qeverisë. Nëse kjo nuk ndodh brenda afatit, më 20 nëntor presidentja e Kosovës është e detyruar ta shpërndajë Kuvendin, duke hapur rrugën për zgjedhje të reja.

Sipas Cakollit, Kushtetuta parashikon që zgjedhjet të mbahen brenda 40 ditëve nga shpallja e tyre, ndërsa Presidentja ka deri në 10 ditë kohë për të caktuar datën. Në bazë të këtyre afateve, datat më të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve janë 21 ose 28 dhjetori, por nëse procesi dështon më herët, ato mund të zhvillohen më 14 dhjetor, ndërsa në rast të vonesave, mund të shtyhen deri më 4 janar.