Mali i Zi kërkon hapjen e pikës kufitare në Çakorr, banorët paralajmërojnë largim
Rruga historike nga Morina për në Pejë, përmes Çakorrit, e ndërtuar para një shekulli dhe dikur një ndër më të frekuentuarat, mbetet e mbyllur prej 26 vitesh. Banorët dhe autoritetet lokale në Mal të Zi po i bëjnë thirrje qeverisë të zbatojë marrëveshjen e vitit 2015 dhe të hapë pikën kufitare Kotlov-Kuqishtë me Kosovën.
Kryetari i Bashkisë së Plavës, Nihad Canoviq, ka theksuar se mungesa e lidhjeve rrugore po e pengon zhvillimin ekonomik dhe turistik të rajonit, duke paralajmëruar se banorët mund të largohen për shkak të kushteve të vështira të jetesës. Ai u shpreh optimist se nuk ka arsye që çështja të mos zgjidhet shpejt.
Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi ka deklaruar se vendi e ka përmbushur prej kohësh pjesën e tij të marrëveshjes, ndërsa tani pret veprime nga pala kosovare për hapjen e kufirit në Çakorr.











