#Sport

Liverpooli nis kontaktet e para me Xabi Alonson

Liverpooli ka ndërmarrë hapat e parë për të rikthyer në “Anfield” ish-lojtarin e tij, Xabi Alonso, këtë herë në rolin e trajnerit.

Tekniku spanjoll pritet të mos qëndrojë gjatë pa angazhim, pasi po përmendet si kandidat serioz për të marrë drejtimin e “Reds” nga sezoni i ardhshëm. Edhe pse kishte spekulime se Alonso mund të emërohej menjëherë, këto janë mohuar, pasi trajneri aktual Arne Slot do të vazhdojë detyrën deri në përfundim të sezonit.

Alonso është aktualisht i lirë, pasi u shkarkua nga Real Madridi më 12 janar, pas humbjes ndaj Barcelonës në finalen e Superkupës së Spanjës. Interesimi i Liverpoolit shihet si një hap i natyrshëm, duke marrë parasysh lidhjen e fortë që spanjolli ka me klubin nga koha kur ishte lojtar.

Zhvillimet rreth së ardhmes së stolit të Liverpoolit pritet të bëhen më të qarta në muajt në vijim.