Lista Serbe synon rikthimin në pushtet në veri me mbështetjen e Serbisë
Lista Serbe ka shpallur kandidaturat për zgjedhjet lokale, duke synuar rikthimin në pushtet në katër komunat veriore të Kosovës, si dhe në gjashtë komuna të tjera me shumicë serbe. Kandidatët për kryetarë janë ish-udhëheqësit komunalë që dhanë dorëheqje në vitin 2022, kur përfaqësuesit serbë braktisën institucionet e Kosovës.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kjo parti do të garojë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan, Zubin-Potok, Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Graçanicë, Ranillug, Partesh e Kllokot. Përveç tyre, në garë vetëm për asamble komunale janë edhe në disa qytete tjera, përfshirë Gjilanin, Istogun, Klinën, Pejën, Fushë Kosovën, Kamenicën, Lipjanin, Vushtrrinë dhe Obiliqin.
Kandidat për kryetar të Mitrovicës së Veriut është Milan Radojeviq, ndërsa në Leposaviq kandidon Zoran Todiq. Në Zveçan garon Dragisha Miloviq dhe në Zubin-Potok Milosh Peroviq, të gjithë ish-kryetarë dhe pjesë e institucioneve paralele të Serbisë.
Në prezantimin e kandidatëve, udhëheqësit e Listës Serbe theksuan se kanë marrë mbështetjen e plotë të Serbisë për këtë proces. “Me mbështetjen e shtetit tonë të Serbisë, po luftojmë të vendosim për fatin tonë,” deklaroi anëtari i kryesisë, Igor Simiq, duke kritikuar qëndrimin e organizatave ndërkombëtare.
Lista Serbe do të përballet me rreth 10 subjekte të tjera politike në veri. Të gjitha partitë, përfshirë këtë subjekt dhe rreth 100 të tjera, janë në pritje të verifikimit dhe certifikimit nga KQZ.
Dorëheqjet e serbëve nga institucionet u dhanë në nëntor të vitit 2022, ndërsa më pas ata bojkotuan zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit 2023 dhe procesin e shkarkimit të kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore.











