#Sport

Liga e Kombeve 2026/27: Kosova në Ligën B, shorti më 12 shkurt

Edicioni i pestë i Ligës së Kombeve të UEFA-s nis më 24 shtator 2026, ndërsa Kosova do të garojë për herë të parë në Ligën B, niveli i dytë i kësaj gare. Promovimi u sigurua pas dy fitoreve ndaj Islandës në play-off, duke shënuar një sukses historik për “Dardanët”.

Shorti do të hidhet më 12 shkurt në Bruksel, ku Kosova do të jetë në vazon e katërt, së bashku me Suedinë, Maqedoninë e Veriut dhe Irlandën e Veriut. Sipas rregullave të UEFA-s, Kosova nuk mund të përballet me Bosnjë-Hercegovinën, për arsye sigurie.

Ndeshjet e fazës së ligës do të zhvillohen nga 24 shtatori deri më 17 nëntor. Ndërkohë, fokusi aktual i përfaqësueses kosovare mbetet te play-offi për kualifikim në Kupën e Botës 2026, ku më 26 mars luan ndaj Sllovakisë në gjysmëfinale.