#Kosova #Lajme

Lidhja e Bizneseve kundërshton vendimin e ZRrE-së, kërkon shkarkimin e bordit dhe formimin e institucioneve

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike për bizneset, duke e cilësuar këtë veprim si të jashtëligjshëm dhe të dëmshëm për ekonominë e vendit.

Në reagim thuhet se bordi i ZRrE-së ka humbur fokusin në interesin publik dhe po vepron në favor të interesave individuale, duke rrezikuar prodhimin vendor, investimet e huaja dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Bizneset që përbëjnë 56% të ekonomisë dhe punësojnë mbi 140 mijë persona nuk duhet të përballen me masa të padrejta e të paarsyeshme”, theksohet në komunikatë.

LBK u ka bërë thirrje liderëve politikë që të formojnë sa më shpejt institucionet, të shkarkojnë bordin e ZRrE-së dhe të ndalin menjëherë vendimet që, sipas tyre, po shkatërrojnë prodhimin dhe ekonominë e Kosovës.

Organizata thekson se ndërprerja e energjisë për bizneset dëmton rëndë besimin e investitorëve dhe imazhin ndërkombëtar të vendit, duke kërkuar rikthimin e dialogut ndërmjet ZRrE-së dhe komunitetit të biznesit për një tranzicion të drejtë drejt tregut të lirë të energjisë.