#Lajme

Lëvizja Vetëvendosje pritet të ndërmarrë këtë të dielë hapin vendimtar drejt formimit të Qeverisë, duke votuar Albin Kurtin si mandatar për kryeministër në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur procesi i konstituimit të Kuvendit është bllokuar për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb, por LVV po synon të përshpejtojë procedurat për krijimin e ekzekutivit.

Pas votimit në Këshill, emri i Kurtit do t’i dërgohet presidentes Vjosa Osmani, e cila pritet të ndërmarrë hapat e mëtejshëm kushtetues. Sipas nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës, kandidati për kryeministër ka afat 15 ditë nga emërimi për të paraqitur përbërjen e Qeverisë në Kuvend dhe për të kërkuar miratimin e saj.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Në rast se përbërja e parë e propozuar nuk siguron mbështetjen e nevojshme, Presidenti emëron një kandidat tjetër brenda dhjetë ditësh. Nëse dështojnë edhe dy përpjekjet, atëherë vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 40 ditësh.