LDK kërkon publikimin e kontratave të energjisë, akuzon Qeverinë për keqpërdorime milionëshe
Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar transparencë të plotë në sektorin e energjisë elektrike, duke i bërë thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Ekonomisë që të publikojnë kontratat e importit të energjisë. Në një konferencë për media, nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, akuzoi institucionet për keqpërdorime milionëshe dhe tentime për të fshehur, siç tha ajo, “gjetjet e rënda” që kanë dalë në publik. Ajo shtoi se Prokuroria Speciale tashmë ka nisur hetimet dhe se LDK ka dorëzuar dëshmi për rastin.
Bajrami ngriti dyshime mbi importet e energjisë dhe rolin e kompanisë EFT në tregun rajonal, duke theksuar se gjatë periudhës 2021–shtator 2025 Kosova ka importuar energji në vlerë prej 811 milionë eurosh. Ajo theksoi se, sipas LDK-së, EFT ka monopolizuar ankandet vjetore, mujore dhe ditore, duke ndikuar edhe në rritjen e kostove të transportit të energjisë. Sipas saj, Ministria e Ekonomisë duhet të bëjë publike kontratat për të sqaruar nga kush blihet energjia, sa blihet dhe sa paguan Kosova për transportin.
Ndërkaq, inxhinierja e LDK-së, Janina Ymeri, prezantoi të dhëna teknike që, sipas saj, tregojnë mospërputhje mes deklarimeve të ministres së Ekonomisë dhe të dhënave zyrtare nga vendet e përmendura si burime të importit. Ajo tha se statistikat nga Sllovenia dhe Danimarka nuk tregojnë eksport të energjisë drejt Kosovës, ndërsa sipas dokumenteve qeveritare, rreth 50 për qind e energjisë së importuar në vitin 2022 ka ardhur nga Serbia, çka, sipas saj, përputhet edhe me bilancet energjetike të atij shteti.











