Laws: Mizoria ndaj viktimave në këtë proces ka qenë ekstreme, edhe Selimi pretendohet se mori pjesë në rrahje
Përfaqësuesi i viktimave në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Simon Laws, ka deklaruar se në këtë çështje janë evidentuar akte mizorie të jashtëzakonshme ndaj të ndaluarve. Ai theksoi se keqtrajtimet nuk janë kryer vetëm nga persona të rangut të ulët, por edhe nga figura të larta, përfshirë të akuzuarin Rexhep Selimi.
Sipas Laws, viktimat janë ndaluar dhe trajtuar në kushte çnjerëzore, pa asnjë proces të drejtë ligjor. Ai përshkroi rrethana të rënda në qendrat e ndalimit, ku të burgosurit, sipas pretendimeve, janë mbajtur në ambiente të papërshtatshme, pa ushqim e ujë dhe pa informacione për fatin e tyre.
Mbrojtësi i viktimave tregoi se në seancë janë dëgjuar dëshmi për rrahje brutale, përdorim të dhunës fizike dhe psikologjike, si dhe forma të tjera të keqtrajtimit, përfshirë djegie, tortura dhe poshtërime të rënda. Ai përmendi edhe dëshmi për përdorimin e rrymës elektrike ndaj të ndaluarve.
Laws deklaroi se viktimat pretendohet se janë rrahur nga persona të ndryshëm, përfshirë ushtarë të rinj, figura të njohura si Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi, si dhe nga Rexhep Selimi. Sipas tij, në disa raste, në keqtrajtime janë përfshirë edhe gra apo të burgosur të tjerë të detyruar.
Ai foli gjithashtu për pasojat afatgjata psikologjike që kanë viktimat, duke theksuar se disa prej tyre ende vuajnë nga frika, ankthi dhe traumat e përjetuara. Sipas tij, këto ngjarje kanë ndikuar rëndë edhe te familjarët e viktimave, të cilët konsiderohen viktima të tërthorta të kësaj çështjeje.








