Lajm i mirë për Ukrainën: BE-ja miraton kredi prej 90 miliardë eurosh
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje për t’i ofruar Ukrainës një kredi në vlerë prej 90 miliardë eurosh, pas dështimit për të gjetur konsensus rreth përdorimit të aseteve ruse të ngrira.
Marrëveshja u arrit pas më shumë se një dite diskutimesh gjatë samitit të mbajtur në Bruksel dhe, sipas liderëve evropianë, pritet të mbulojë nevojat ushtarake dhe ekonomike të Ukrainës për dy vitet e ardhshme. Kredi do të mbështetet nga buxheti i përbashkët i Bashkimit Evropian.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e konfirmoi vendimin përmes një postimi në rrjetin social X, duke theksuar se BE-ja ka arritur angazhimin e saj për mbështetjen e Ukrainës.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte kërkuar që të shfrytëzoheshin rreth 200 miliardë euro asete ruse të ngrira. Megjithatë, kjo ide nuk mori mbështetjen e plotë, pasi Belgjika, ku ndodhet pjesa më e madhe e këtyre fondeve, kërkoi garanci për ndarjen e përgjegjësisë, gjë që u kundërshtua nga shtetet e tjera anëtare.











