Kuvendi i Kosovës sot zhvillon dy seanca, njëra e fokusuar në buxhet dhe tjetra në votimin për Qeverinë e re.
Në orën 14:00 pritet të nisë seanca ku deputetët do të shqyrtojnë dhe votojnë kabinetin e ri qeveritar, në ditën e fundit të afatit 15-ditor për formimin e qeverisë. Mandatari, nënkryetari i LVV-së Glauk Konjufca, ende nuk ka konfirmuar nëse ka siguruar votat e mjaftueshme.
Më herët, në orën 11:00, Kuvendi do të mbajë një seancë tjetër ku në rend dite janë: formimi i komisioneve parlamentare, leximi i parë i projektligjit për ndarjet buxhetore, miratimi i buxheteve të komunave të Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut, çështja e financimit të RTK-së si dhe ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare.
Partitë opozitare – PDK, LDK dhe AAK – kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin mandatarin e dytë të LVV-së. Konjufca kishte kërkuar nga subjektet politike që të votonin një qeveri të përkohshme deri në prillin e vitit të ardhshëm, kur përfundon mandati i presidentes Vjosa Osmani, por partitë kryesore shqiptare kanë deklaruar se nuk do të japin votën e tyre.









