Kushtetuesja rrëzon nenin që përjashtonte kujdesin mendor nga spitalet, FSSHK e cilëson fitore për sektorin publik
Gjykata Kushtetuese ka shpallur aktgjykimin për rastin KO 141/24, duke konstatuar se një nen i Statutit nr.01/2023 të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës nuk është në përputhje me Kushtetutën. Bëhet fjalë për paragrafin 1 të nenit 11, i cili përjashtonte kujdesin mendor nga lista e shërbimeve në spitalet e përgjithshme.
Në vendim theksohet se Ligji për Shëndetin Mendor përcakton qartë që kujdesi mendor duhet të ofrohet në nivel të dytë përmes spitaleve të përgjithshme, prandaj ky nen bie ndesh me paragrafin 1 të nenit 7 dhe paragrafin 4 të nenit 92 të Kushtetutës. Deri në ndryshimin e tij, shërbimet e kujdesit mendor do të vazhdojnë të ofrohen sipas ligjit në fuqi.
Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) e ka cilësuar këtë vendim si një fitore për shëndetësinë publike, për qytetarët dhe për punëtorët shëndetësorë e administrativë në spitalet e përgjithshme. Ajo ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe në evidentimin e çdo shkeljeje ligjore.












