#Lajme

Kushtetuesja reagon ndaj Presidentes Osmani: Ndarja e lëndëve bëhet sipas rregullave të qarta

Gjykata Kushtetuese ka reaguar pas deklaratave të Presidentes Vjosa Osmani, e cila kishte tërhequr kërkesën e dorëzuar më 22 korrik, pasi gjyqtari Radomir Llaban ishte caktuar si raportues në këtë çështje. Osmani e cilësoi Llabanin si person me “veprimtari të rrezikshme”, duke përmendur informacione të dorëzuara nga institucionet e sigurisë në vitet 2018, 2021 dhe 2024.

Në reagim, Kushtetuesja sqaroi se Llaban është pjesë e gjykatës që nga viti 2011 dhe gjyqtar që nga viti 2018, pas përmbushjes së procedurave kushtetuese dhe ligjore.

Gjykata theksoi se ndarja e lëndëve bëhet sipas rregullave të qarta procedurale dhe se të gjitha kërkesat trajtohen me paanshmëri dhe profesionalizëm. Ajo rikujtoi se vendimet merren në përbërje të plotë dhe tërheqja e kërkesave nga palët është një e drejtë e garantuar me ligj.