Kush do ta mbikëqyrë qeverinë në detyrë?
Pas dështimit të votimit për formimin e Qeverisë Kurti 3, me 56 vota për, 52 kundër dhe 4 abstenime, procesi politik në Kosovë është rikthyer te presidentja Vjosa Osmani. Ndërkohë, qeveria në detyrë po vazhdon punën pa një mbikëqyrje të qartë institucionale, duke ngritur debate mes juristëve dhe njohësve të çështjeve kushtetuese.
Sipas ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, me konstituimin e Kuvendit të ri, situata ka ndryshuar, dhe tani organi përgjegjës për mbikëqyrjen e qeverisë është vetë Kuvendi i Kosovës.
“Organi i vetëm që e mbikëqyr qeverinë është Kuvendi tashmë i konstituuar,” deklaroi Shala për RTV21.
Këto komente erdhën pas deklaratës së Albin Kurtit, i cili paralajmëroi se mosvotimi i kabinetit të tij do të linte qeverinë në detyrë pa mbikëqyrje parlamentare.
“I zgjatet jeta qeverisë në detyrë dhe Kuvendi nuk do të ketë mundësi që ta mbikëqyrë,” tha Kurti.
Nga ana tjetër, avokati Arbër Jashari vlerëson se qeveria në detyrë duhet të shërbejë vetëm për një periudhë të shkurtër tranzitore dhe se Kuvendi aktual nuk ka mandat për ta mbikëqyrur, pasi nuk e ka votuar atë.
“Qeverinë nuk e ka votuar kjo legjislaturë, andaj ajo nuk mund t’i raportojë këtij Kuvendi,” theksoi Jashari, duke shtuar se vonesat në formimin e institucioneve kanë krijuar një situatë të pazakontë ligjore.
Ekspertët ligjor paralajmërojnë se disa nga vendimet e marra nga qeveria në detyrë gjatë muajve të fundit mund të jenë të kundërligjshme.
“Ministrat në detyrë që janë njëkohësisht deputetë po veprojnë në kundërshtim me ligjin,” tha Shala, ndërsa Jashari shtoi se çdo vendim i tillë mund të ankohet me sukses në gjykata.
Kujtojmë se në korrik të këtij viti, Gjykata Supreme kishte rrëzuar një vendim të Ministrisë së Financave, duke e cilësuar të paligjshëm, me arsyetimin se ministrat që janë njëkohësisht deputetë nuk kanë të drejtë të marrin vendime ekzekutive.
Në këtë situatë të ndërlikuar, Kosova gjendet në një bllokadë institucionale, ndërsa mbetet për t’u parë se kush do ta mbikëqyrë dhe për sa kohë do të vazhdojë mandati i qeverisë në detyrë.











