Kurti viziton Manastirin për Ditën e Alfabetit Shqip
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar në Manastir me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip, i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dhe drejtuesit e koalicionit VLEN. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili tha se së bashku me liderët e VLEN-it kanë pritur Kurtin në një drekë pune, ku është biseduar për zhvillimet e fundit politike dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas Mexhitit, diskutimet u fokusuan në hapa konkretë për përmirësimin e bashkëpunimit në fusha që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Ai shtoi se takimi u zhvillua para manifestimit qendror që shënon Ditën e Alfabetit në Manastir, një datë që kujton vendimin historik të rilindasve për unifikimin e gjuhës shqipe.
Mexhiti theksoi se ngjarja pasoi një takim pune që, sipas tij, reflektoi identitetin, qëndrueshmërinë dhe orientimin kombëtar, duke nënvizuar rëndësinë e bashkërendimit në ide dhe veprime në këtë ditë simbolike.











