#Lajme

Kurti u bën thirrje qytetarëve të aplikojnë për subvencionimin e energjisë elektrike

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka inkurajuar qytetarët që të aplikojnë për Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike për vitin 2025–2026, i cili ka nisur zbatimin nga ky muaj.

Sipas Kurtit, programi ka për qëllim të ofrojë ndihmë financiare për familjet më të cenueshme, për t’i lehtësuar ato gjatë sezonit të dimrit në përballimin e kostove të energjisë. Ai rikujtoi se paralelisht është bërë edhe rritja prej 20% e shumës për familjet përfituese të asistencës sociale.

Aplikimi për subvencionim mund të bëhet në platformën zyrtare eKosova, në seksionin “Shërbime – Grante dhe Subvencione”, në këto adresa:

Për asistencën sociale: https://ekosova.rks-gov.net/Service/32 Për subvencionin e energjisë: https://ekosova.rks-gov.net/562

Për të përfituar nga programi, familjet duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, të kenë të ardhura deri në 150 euro për anëtar familjeje dhe pasuri të paluajtshme jo më shumë se 100 mijë euro.

Kriteret e përfitimit bazohen në një formulë që merr parasysh të ardhurat mesatare familjare dhe faturën mujore të energjisë.

Familjet që kanë qenë pjesë e programit gjatë vitit 2024 nuk kanë nevojë të riaplikojnë, përveç në rastet kur kanë ndryshime në të dhëna si numri i anëtarëve, vendbanimi apo njehësori elektrik.

Afati për aplikim është 6 muaj, por pagesat nuk do të jenë retroaktive, ndaj qytetarët ftohen të aplikojnë brenda muajit tetor për të përfituar që nga fillimi i programit.