#Lajme

Kurti takon ministrin francez për Evropën, kërkon mbështetje për statusin e kandidatit të Kosovës në BE

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ministrin francez të deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit.

Gjatë takimit, Kurti ka theksuar rëndësinë e Francës si një aktor kyç në sigurinë e Evropës dhe në kuadër të Bashkimit Evropian, duke vlerësuar gjithashtu kontributin e saj në Ballkanin Perëndimor.

Ai ka nënvizuar nevojën që Kosovës t’i dorëzohet pyetësori dhe t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE. Po ashtu, janë diskutuar marrëdhëniet bilaterale Kosovë–Francë, çështjet e sigurisë, zhvillimet rajonale dhe procesi i integrimit evropian.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Francës dhe për partneritetin mes dy vendeve, duke theksuar se vlerat e përbashkëta ofrojnë mundësi për zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.