#Lajme

Kurti: Qeveria e re do të prezantohet deri më 26 tetor

Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka njoftuar se gjatë kësaj jave do të nisin bisedimet për formimin e qeverisë së re, të cilën e ka quajtur “Qeveria Kurti 3”.

Në një konferencë për media, Kurti theksoi se afati i fundit për mbajtjen e seancës ku do të prezantohet kabineti i ri qeveritar është 26 tetori.

“Dita e fundit kur mund të mbahet seanca për prezantimin e kabinetit qeveritar është 26 tetori. Këto ditë jemi të përqendruar në analizën e zgjedhjeve lokale, por shumë shpejt, qysh këtë javë, do të fillojmë bisedimet për qeverinë qendrore. Kosovës i duhet një mandat i ri në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit,” tha Kurti.

Ai shtoi se seanca për votimin e qeverisë do të thirret sapo të arrihet marrëveshja për përbërjen e kabinetit.

“Nuk do të thotë që seanca do të mbahet më 26, ai është vetëm afati i fundit. Në momentin që bisedimet rezultojnë të suksesshme, seanca do të mbahet menjëherë,” deklaroi Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes theksoi gjithashtu se në rast se nuk formohet “Qeveria Kurti 3”, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.

“Nëse s’ka qeveri Kurti 3, padyshim se jemi të gatshëm për zgjedhje të reja. Megjithatë, plani ynë është të formojmë qeverinë e re dhe për këtë po përgatitemi – besoj se për këtë duhet të përgatiten edhe të tjerët,” përfundoi ai.