#Lajme

Kurti pret kongresistët amerikanë: Diskutime për sigurinë dhe ekonominë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, priti një delegacion të Kongresit amerikan të udhëhequr nga Mike Turner dhe Donald Norcross. Në takim u diskutua forcimi i bashkëpunimit strategjik mes Kosovës dhe ShBA-së, sidomos në fushën e mbrojtjes.

Kurti theksoi se mbi 1,000 pjesëtarë të FSK-së janë trajnuar në programe amerikane, përfshirë akademitë ushtarake si West Point, dhe përmendi pjesëmarrjen e FSK-së në Defender Europe dhe stërvitjet e ushtrisë amerikane në Gjakovë. Ai rikujtoi edhe blerjen e sistemeve anti-tank Javelin dhe Marrëveshjen për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

Pjesë e bisedimeve ishin edhe mundësitë e reja të bashkëpunimit ekonomik në energji, teknologji dhe infrastrukturë. Kurti përsëriti orientimin euro-atlantik të Kosovës dhe falënderoi ShBA-në për mbështetjen e vazhdueshme.