Kurti: Po përgatitemi për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, kabineti do të ketë emra të vjetër dhe të rinj
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se institucionet e reja të Kosovës pritet të formohen sa më shpejt, duke theksuar se prioritet mbetet konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë së re, për shkak të nevojës urgjente për miratimin e buxhetit dhe disa marrëveshjeve ndërkombëtare.
Kurti ka thënë se buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2026 duhet të miratohet brenda muajit shkurt, pasi funksionimi me sistemin e një të dymbëdhjetës mund të vazhdojë vetëm deri në fund të këtij muaji dhe jo edhe në mars.
“Po përgatitemi që sa më shpejt ta konstituojmë Kuvendin dhe ta formojmë Qeverinë, sepse kemi tri marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore dhe Planin e Rritjes me Bashkimin Evropian në vlerë prej 882.6 milionë eurosh, të cilat duhet të miratohen në Kuvend. Po ashtu, kemi përgjegjësi dhe obligim që brenda muajit shkurt ta përmbyllim buxhetin për vitin 2026”, ka deklaruar Kurti.
Sa i përket përbërjes së kabinetit të ri qeveritar, Kurti ka paralajmëruar se Qeveria do të përfshijë një kombinim të emrave të njohur dhe atyre të rinj. Ai ka sqaruar se një pjesë e ministrave do të jenë nga lista e emrave të propozuar edhe gjatë mandatit të kaluar, kur Qeveria nuk kishte arritur të zgjidhej, por se nuk do të jetë një përbërje identike.
“Do të ketë shumë prej emrave që i kemi prezantuar më herët, si unë ashtu edhe Glauk Konjufca, por do të ketë edhe emra të tjerë”, tha Kurti.
I pyetur për çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit, Kurti u shpreh se fillimisht duhet të përmbyllen hapat e formimit të Kuvendit, Qeverisë dhe miratimit të buxhetit, ndërsa më pas, sipas tij, do të procedohet edhe me këtë proces.








