Kurti pas takimit me Sørensen: Kosova e gatshme për dialog konstruktiv në Bruksel
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një takim me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen. Ky ishte takimi i parë mes tyre pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka theksuar se rezultati i zgjedhjeve ka krijuar një legjitimitet të ri demokratik, i cili siguron parashikueshmëri politike dhe stabilitet institucional, duke forcuar funksionimin e rendit kushtetues në Kosovë.
Ai ka vënë në dukje se ky legjitimitet, i dalë drejtpërdrejt nga vullneti i qytetarëve, garanton një përfaqësim të drejtë, kredibil dhe parimor të Kosovës në procesin e dialogut, duke shtuar se një situatë e tillë, sipas tij, nuk vlen për lidershipin aktual në Serbi.
Gjatë takimit, Kurti ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për angazhim në një dialog konstruktiv në Bruksel.
Po ashtu, ai ka theksuar rëndësinë e tërheqjes së letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm, dorëzimin e Millan Radoiçiqit, ndaj të cilit Prokuroria e Kosovës ka ngritur aktakuzë prej 160 faqesh, si dhe nënshkrimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit. Sipas Kurtit, zbatimi i plotë i këtyre marrëveshjeve do të shërbente si garanci juridike dhe do të siguronte rezultate të qëndrueshme në procesin e dialogut.











