Kurti: Opozita vendos – zgjedhje në dhjetor ose qeveri e përkohshme me Konjufcën deri në prill
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pas një tubimi politik në Gjakovë, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me formimin e Qeverisë së re. Ai pranoi se nuk arriti të sigurojë 61 votat e nevojshme për t’u rizgjedhur kryeministër dhe tha se pas balotazhit do të vazhdojnë menjëherë me procesin për mandatarin e dytë.
Sipas Kurtit, opozita ka në dorë rrugën e mëtutjeshme të vendit: “Ose Kurti 2.5 me zgjedhje në dhjetor, ose Konjufca 1 me zgjedhje në prill”. Ai shtoi se të dy opsionet janë të pranueshme për Vetëvendosjen, me kusht që të ketë bashkëpunim institucional dhe të mos vonohen proceset.
“Ne i duam zgjedhjet, por edhe më shumë duam ta formojmë qeverinë sipas rezultateve të 9 shkurtit, kur dolëm fitues. Kemi 48 deputetë, më shumë se LDK e PDK së bashku”, tha Kurti për tvsyri.
Shefi në detyrë i ekzekutivit theksoi se për vendin më e favorshmja do të ishte votimi i Glauk Konjufcës si kryeministër, për të siguruar miratimin e buxhetit, Planin e Rritjes për BE-në, si dhe financimin për RTK-në dhe komunat që ende funksionojnë me buxhetin e vitit 2024.
“Më mirë të kemi një qeveri afatshkurtër deri në prill, sesa të mbesim pa buxhet dhe me bllokim institucional. Por këtë nuk mund ta vendosim vetë, opozita e ka në dorë”, u shpreh Kurti, duke e quajtur ofertën e tij “gjeneroze” dhe duke theksuar se Vetëvendosje ka bërë lëshimet e nevojshme për të gjetur një zgjidhje.











