Kurti nuk i bashkohet protestës në Tiranë — Maqedonci: Lufta e UÇK-së mbrohet me diplomaci, jo vetëm në sheshe
Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka komentuar mungesën e kryeministrit Albin Kurti dhe lëvizjes Vetëvendosje në protestën e sotme në Tiranë, e organizuar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Në një intervistë për “Puls” në A2 CNN, Maqedonci theksoi se protesta ka një vlerë simbolike për të dërguar mesazh tek bashkësia ndërkombëtare, por sipas tij, nuk mjafton për të sjellë ndryshim të vërtetë.
“Protesta nuk është ajo që e bën ndryshimin. Mbrojtja e luftës së drejtë të UÇK-së bëhet me diplomaci, jo vetëm në sheshe”, u shpreh Maqedonci.
Ai kujtoi se që nga themelimi i Gjykatës Speciale është vërejtur një qasje e njëanshme që ka ndikuar negativisht ndaj ish-komandantëve të UÇK-së. Maqedonci tha se kryeministri Kurti ka ngritur vazhdimisht këtë çështje në takimet me liderë ndërkombëtarë, duke e cilësuar gjykatën si të padrejtë dhe si “dënim për luftën çlirimtare”.
Megjithatë, ministri pranoi se përpjekjet diplomatike nuk kanë qenë të mjaftueshme, duke kërkuar një angazhim të vazhdueshëm për të mbrojtur drejtësinë dhe historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.











