Kurti nga Davosi: Serbia e kupton më mirë se kurrë se Kosova është shtet
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia e ka kuptuar më qartë se kurrë më parë realitetin shtetëror të Kosovës, ndonëse vazhdon të refuzojë njohjen formale.
Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Kurti tha se nga katër shtetet fqinje të Kosovës, tri e kanë njohur pavarësinë, ndërsa vetëm Serbia vazhdon ta mohojë atë, pa dhënë shenja se kjo do të ndryshojë së shpejti. Megjithatë, sipas tij, realiteti në terren ka ndryshuar ndjeshëm.
Ai theksoi se Rusia përbën kërcënim për rajonin përmes Serbisë, duke shtuar se ambiciet për rikthim të ideve perandorake janë të parealizueshme. “Ajo që duhet të ndodhë është shuarja e ëndrrës për kthim, si e Serbisë ashtu edhe e Perandorisë Ruse apo Federatës Ruse. Perandoritë nuk duan fqinj, por kjo është e pamundur”, ka deklaruar Kurti.
Duke folur për veriun e Kosovës, Kurti tha se situata ka ndryshuar rrënjësisht krahasuar me vitet e kaluara, kur, sipas tij, para 5 deri në 10 vjetësh nuk ka pasur liri të plotë për të lëvizur apo për të folur shqip lirshëm.
Ai nënvizoi se këto zhvillime e bëjnë të domosdoshëm një solidaritet më të madh brenda Evropës dhe NATO-s, duke paralajmëruar se Rusia synon të dëmtojë këto struktura, ndërsa Kina kërkon të rivalizojë fuqinë e Shteteve të Bashkuara.
Kurti tha se çdo shtet që ndihmon Serbinë në përpjekjet për destabilizim të rajonit, i shkakton probleme edhe Kosovës, duke e cilësuar Rusinë si kërcënimin kryesor në këtë drejtim.
Në fund, ai foli edhe për ndryshimet gjeopolitike globale, duke theksuar se po ndodhin turbulenca të paparashikueshme dhe se nevojitet bashkëpunim më i ngushtë brenda NATO-s, si dhe forcim i aleancave rajonale.










