Kurti: Marrëveshja për institucionet mund të arrihet këtë fundjavë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë kësaj fundjave pritet të mësohet nëse do të arrihet apo jo marrëveshja për krijimin e institucioneve të reja. Ai nuk konfirmoi nëse i ka ofruar pozitën e kryeparlamentarit Fatmir Limajt, duke theksuar se oferta ndaj Nismës Socialdemokrate ende nuk është konkretizuar me një marrëveshje të plotë.
“LVV-ja dhe unë kemi shprehur interesimin dhe gatishmërinë për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate. Kam bërë një ofertë konkrete me qëllim që gjithçka të përmbyllet sa më shpejt e mirë dhe të kemi konstituimin e Kuvendit dhe Qeverinë e re,” tha Kurti në një konferencë për media.
Ai shtoi se fundjava do të jetë vendimtare për të kuptuar nëse kjo marrëveshje do të realizohet apo jo. “Në këtë fundjavë ose do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur, ose për mungesën e saj”, u shpreh Kurti.
Ndërkohë, edhe seanca e 50-të e Kuvendit të Kosovës për konstituimin e tij përfundoi pa sukses. Për zgjedhjen e kryekuvendarit duhen 61 vota. Lëvizja Vetëvendosje aktualisht ka 48 ulëse në Kuvend, Nisma Socialdemokrate ka 3, ndërsa ekziston mundësia që edhe 7 deputetë nga pakicat joserbe t’i bashkohen.
Sipas llogarive, LVV-së do t’i duhej ende mbështetja e tre deputetëve të tjerë për të arritur shumicën e nevojshme. Deri tani, disa deputetë të pakicave kanë deklaruar se nuk do të ofrojnë votën e tyre pa u përmbushur kërkesat që kanë parashtruar.











