Kurti: Kosova mbështet operacionin anti-narkotik të SHBA-së në Venezuelë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Venezuelë, i udhëhequr nga presidenti Donald Trump.
Kurti ka theksuar se mbajtja përgjegjëse e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogës është thelbësore për suksesin në luftën kundër këtij fenomeni. Ai po ashtu ka nënvizuar nevojën për rritjen e vëmendjes ndaj aktorëve rajonalë që synojnë provokimin e situatës së sigurisë përmes veprimeve hibride, kriminale, terroriste dhe ushtarake.
Sipas Kurtit, Kosova, si aleate strategjike e SHBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe në ruajtjen e vlerave demokratike perëndimore, si në rajon, ashtu edhe më gjerë.
Në këtë kontekst, sot Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme ajrore në Venezuelë, që pasuan me arrestimin e presidentit të vendit, Nicolas Maduro.











