Kurti: Furnizimi me energji është stabil, parashihen investime të reja në KEK
Pavarësisht ankesave të qytetarëve për reduktime dhe çmime të larta të energjisë, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vendi aktualisht ka furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike. Këto deklarata ai i bëri pas një vizite në Korporatën Energjetike të Kosovës, respektivisht në termocentralet Kosova A dhe Kosova B, së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Gjatë vizitës, Kurti tha se janë konstatuar në funksion tri njësi prodhuese, çka sipas tij garanton stabilitet energjetik në prag të ndërrimit të viteve. Ai falënderoi punëtorët e KEK-ut për angazhimin dhe theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar për modernizimin e termocentralit Kosova B, me synim rritjen e kapaciteteve të gjenerimit.
Kryeministri po ashtu u shpreh se furnizimi i ngrohjes qendrore nga Termokosi është me rëndësi të veçantë dhe kërkoi që sa më shumë familje të jenë të lidhura në këtë sistem. Ai siguroi se investimet e planifikuara do të realizohen brenda afateve të përcaktuara nga bordi dhe menaxhmenti i KEK-ut.
Nga ana tjetër, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, prezantoi investimet e realizuara gjatë këtij viti dhe planet për zgjerimin e kapaciteteve energjetike. Ajo theksoi se KEK ka kryer investimin më të madh këtë vit me modernizimin e turbinës B2, duke rritur kapacitetin për 35 megavatë, ndërsa një investim i ngjashëm pritet të realizohet edhe në njësinë B1 vitin e ardhshëm.
Rizvanolli bëri të ditur gjithashtu se ka nisur procesi i kontraktimit për njësinë A3 dhe se, me mbështetje të Bashkimit Evropian, pritet ndërtimi i një parku solar me kapacitet 100 megavatë në KEK. Sipas saj, në fund të vitit të ardhshëm, KEK pritet të ketë rreth 350 megavatë kapacitete shtesë të energjisë.










