Kurti: E ardhmja e Kosovës e orientuar fuqishëm drejt Bashkimit Evropian
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se e ardhmja e Kosovës mbetet e orientuar fuqishëm drejt Bashkimit Evropian.
Një ditë pas zgjedhjeve, Kurti ka reaguar përmes platformës X, ku ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen në votim dhe të gjithë ata që kontribuuan që procesi zgjedhor të zhvillohej i lirë, i drejtë dhe pa incidente. Ai ka theksuar se qytetarët e Kosovës i dhanë sërish një mandat të fuqishëm, duke e cilësuar si nder fitimin e besimit të popullit, veçanërisht pas përfundimit të mandatit të parë të plotë qeverisës në historinë e vendit.
Kurti ka shprehur mirënjohje edhe për mbështetjen ndërkombëtare gjatë procesit zgjedhor, përfshirë Bashkimin Evropian, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, të cilat, sipas tij, vazhdojnë të mbështesin përparimin demokratik të Kosovës. Ai ka falënderuar gjithashtu partitë simotra dhe lëvizjen progresive për bashkëpunimin e vazhdueshëm.
Në fund të mesazhit, Kurti ka theksuar se e ardhmja e Kosovës është e begatë dhe e orientuar fuqishëm drejt Bashkimit Evropian.











