#Lajme

Kryeziu: PDK dhe LDK s’kanë argument juridik për të mos e votuar Rashiqin

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka kritikuar mospjesëmarrjen e PDK-së dhe LDK-së në votimin për zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar të Kuvendit. Ai tha se një veprim i tillë është i pakuptimtë, pasi Kushtetuta përcakton qartë që kandidati duhet të jetë deputet nga komuniteti serb, pa specifikuar domosdoshmërisht se duhet të vijë nga partia më e madhe serbe.

Kryeziu theksoi se edhe rregullorja e Kuvendit parasheh mundësinë që, në rast refuzimi nga partia më e madhe serbe, çështja të zgjidhet me short.

“PDK dhe LDK mund të thirren në argumente politike, por juridikisht nuk ekziston asnjë pengesë për nominimin dhe zgjedhjen e Rashiqit”, u shpreh ai.

Ai shtoi se Kuvendi duhet ta votojë Rashiqin të enjten për të mundësuar konstituimin e institucioneve, ndërsa Lista Serbe, nëse e kundërshton, mund ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

“Aman, mos u bëni më katolikë se Papa”, përfundoi Kryeziu.