KRU “Mitrovica”: Vazhdon ndërprerja e furnizimit me ujë të pijes
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka bërë të ditur se furnizimi me ujë të pijes vazhdon të mbetet i ndërprerë, për shkak të nivelit të lartë të turbullshmërisë në kanalin Ibër–Lepenc, i cili tejkalon kufijtë e lejuar për trajtim të sigurt.
Sipas njoftimit zyrtar, për shkak të këtyre parametrave të papërshtatshëm, impiantet për trajtimin e ujit të pijes nuk janë në gjendje të funksionojnë normalisht. Edhe pse gjatë orëve të mbrëmjes është shënuar një rënie e përkohshme e turbullshmërisë dhe janë bërë përpjekje për rifillimin e trajtimit, niveli i saj ka shënuar sërish rritje, duke e bërë të pamundur vazhdimin e procesit të trajtimit dhe shpërndarjes së ujit.
Si pasojë, furnizimi me ujë të pijes mbetet i ndërprerë, ndërsa nga kompania u bëhet thirrje qytetarëve që ujin që eventualisht mund të arrijë në rrjet të mos e përdorin për pije, por vetëm për nevoja higjienike dhe teknike, deri në një njoftim të radhës.
KRU “Mitrovica” ka bërë të ditur se ekipet e saj janë në monitorim të vazhdueshëm të gjendjes dhe parametrave të ujit dhe se trajtimi do të rifillojë menjëherë sapo kushtet teknike ta lejojnë këtë. Konsumatorët do të informohen me kohë për çdo zhvillim të ri përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.












