#Lajme

Krasniqi pas rrëzimit të mocionit nga Specialja: E vërteta nuk do të ndryshojë kurrë, çlirimtarët janë të pafajshëm

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për të refuzuar mocionin e mbrojtjes që kërkonte rrëzimin e një pjese të aktakuzës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Krasniqi e cilësoi vendimin si “një mundësi të humbur për ta forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare dhe në parimet thelbësore që ajo duhet të mbrojë: objektivitetin, paanshmërinë dhe të vërtetën”.

“Çlirimtarët, familjet e tyre dhe qytetarët e Kosovës nuk kanë kërkuar favore, por drejtësi. Drejtësi që nuk ndikohet nga paragjykimet dhe që nuk e ngatërron lirinë me fajin – sepse liria nuk është kurrë faj”, shkroi Krasniqi.

Ai theksoi se historia nuk mund të shkruhet në sallat e gjykatave, sepse ajo është shkruar nëpër sakrificat për liri. “Drejtësia mund të vonohet, por e vërteta nuk do të ndryshojë kurrë. Ata janë të pafajshëm. Ata janë çlirimtarë. Presim me padurim vendimin final për lirinë e tyre”, tha ai.

Ndërkohë, trupi gjykues i Speciales, i kryesuar nga gjyqtari Charles Smith III, ka njoftuar se ka hedhur poshtë mocionin e mbrojtjes për rrëzimin e disa pjesëve të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Gjyqtari tha se trupi gjykues nuk është bindur nga argumentet e mbrojtjes dhe ka vendosur të mos ndërhyjë në themelin e aktakuzës.

Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020 dhe procesi gjyqësor ndaj tyre është ende në vazhdim.