#Lajme

KQZ vendos rinumërimin e votave në disa komuna

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim që të rinumërohen gjithsej 914 vendvotime nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Sipas vendimit, në 10 komuna do të bëhet rinumërimi i plotë i votave, ndërsa në 28 komuna të tjera do të rinumërohet 10 për qind e vendvotimeve.

Vendimi është marrë pas raportit të Sekretariatit të KQZ-së, i cili gjatë verifikimit të videoincizimeve nga Qendrat Komunale të Numërimit ka konstatuar mospërputhje mes votave të numëruara për kandidatë dhe atyre të evidentuara në fletëvotime. Fillimisht, SKQZ-ja ka kryer një verifikim të brendshëm në 2 për qind të vendvotimeve, përkatësisht në 52 vendvotime në nivel vendi.

Sipas KQZ-së, deri më 12 janar janë verifikuar 33 vendvotime, ku është konstatuar se numri i votave të kandidatëve të regjistruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk përputhet me votat e shënuara në fletëvotime.

Bazuar në këto gjetje, KQZ-ja ka vendosur që në komunat Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug të rinumërohen 100 për qind e vendvotimeve.

Ndërkohë, në 28 komuna të tjera do të rinumërohen nga 10 për qind e vendvotimeve, përfshirë Prishtinën, Pejën, Gjakovën, Gjilanin, Prizrenin, Podujevën, Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut, si dhe komunat e tjera të listuara në vendimin e KQZ-së.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se nëse gjatë procesit të rinumërimit evidentohen manipulime me votat e kandidatëve, rastet do të procedohen në organet kompetente dhe do të përfshijnë edhe anëtarët e ekipeve të numërimit.

Procesi i rinumërimit do të zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe do të nisë më 13 janar, në orën 18:00.