#Lajme

KQZ: Vazhdon aplikimi online për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se po vazhdon periudha e aplikimit online për akreditimin e vëzhguesve dhe përfaqësuesve të mediave që do të monitorojnë zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, për kryetarë të komunave dhe kuvendet komunale.

Sipas njoftimit, afati për aplikimin e vëzhguesve të subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje është deri më 17 shtator, ndërsa deri më 27 shtator mund të aplikojnë OJQ-të vendore, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja. Afati i fundit, deri më 7 tetor, është i dedikuar për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare.

KQZ-ja ka theksuar se përgatitjet për zgjedhjet janë në fazën finale, duke synuar garantimin e transmetimit të shpejtë dhe pa pengesa të rezultateve preliminare, pas problemeve të hasura në procesin zgjedhor të mbajtur në shkurt të këtij viti.