KQZ: Rinumërimi ka përfunduar në 18 komuna, mbi 650 vendvotime ende në proces
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i rinumërimit të fletëvotimeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 ka përfunduar në 18 komuna të Kosovës, ndërsa po vazhdon në disa të tjera.
Sipas KQZ-së, edhe pse rinumërimi është mbyllur në gati gjysmën e komunave, deri më tani janë rinumëruar rreth 260 nga gjithsej 914 vendvotime të planifikuara, që përbëjnë afërsisht 29% të totalit të vendvotimeve që i nënshtrohen rinumërimit të plotë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se procesi ka nisur më 13 janar 2026 dhe po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Ai sqaroi se aktualisht rinumërimi po vazhdon në Prishtinë dhe Prizren, ku ende ka një numër të konsiderueshëm vendvotimesh për t’u trajtuar.
Elezi theksoi se mundësia për rinumërime shtesë varet nga gjetjet gjatë këtij procesi. Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna po rinumërohen të gjitha vendvotimet, ndërsa në 28 komuna të tjera vetëm 10% e tyre. Nëse gjatë këtij rinumërimi të pjesshëm vërehen parregullsi, procesi mund të zgjerohet edhe në vendvotime të tjera.
Deri tani, rinumërimi ka përfunduar ose është në zhvillim në komunat: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, si dhe në Prishtinë dhe Prizren.










