#Lajme

KQZ: Rezultatet përfundimtare do të shpallen pas përfundimit të shqyrtimit të ankesave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve do të bëhet vetëm pasi të përfundojë shqyrtimi i të gjitha ankesave që lidhen me procesin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, si dhe pas vlerësimit të plotfuqishmërisë dhe zbatimit të vendimeve eventuale që mund të kërkojnë veprime nga ana e KQZ-së.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka theksuar se ky proces është i domosdoshëm para shpalljes së rezultatit përfundimtar, duke sqaruar se shpallja e rezultateve nuk e mbyll përfundimisht procesin zgjedhor.

Sipas Elezit, subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë të parashtrojnë ankesa ndaj rezultateve, fillimisht në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), e më pas rasti mund të dërgohet edhe në Gjykatën Supreme.

Ai shtoi se KQZ-ja është e obliguar të presë vendimet përfundimtare të institucioneve përkatëse, t’i zbatojë ato dhe vetëm më pas të procedojë me certifikimin e rezultateve zgjedhore.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *